Më 8 maj 2026, Qendra për Studime Evropiane në Universitetin “EPOKA” organizoi një panel diskutimi me titull “Procesi i Integrimit dhe Aderimit të Shqipërisë në BE: Mes Progresit Formal dhe Transformimit Substancial”.
Aktiviteti mblodhi akademikë, studiues dhe një delegacion ndërkombëtar nga European Movement Denmark (Europabevegelsen), në kuadër të vizitës së tyre studimore në Shqipëri dhe Mal të Zi.
Paneli ofroi një diskutim të thelluar dhe kritik mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit Evropian, duke u fokusuar jo vetëm në progresin formal të negociatave të anëtarësimit, por edhe në mundësitë dhe sfidat më të gjera politike, institucionale dhe të qeverisjes që formësojnë trajektoren e reformave në vend.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Prof. Dr. Huseyin Bilgin, Rektor i Universitetit “EPOKA”, dhe Dr. Jubjana Vila, Drejtore e Qendrës për Studime Evropiane. Paneli përfshiu fjalën nga Dr. Jubjana Vila mbi gjendjen aktuale të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe dallimin mes avancimit formal dhe transformimit substancial; Prof. Asoc. Dr. Gelanda Shkurtaj mbi reformën në drejtësi dhe sfidat e sundimit të ligjit; Prof. Asoc. Dr. Gentjan Skara mbi vlerësimin e ndikimit të reformës në drejtësi të vitit 2016; si dhe Dr. Reina Zenelaj mbi dinamikat e brendshme politike që ndikojnë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Diskutimi që pasoi krijoi mundësi për shkëmbim perspektivash me delegacionin vizitor mbi zgjerimin e BE-së, reformat demokratike, standardet e qeverisjes dhe sfidat më të gjera politike dhe integruese. Aktiviteti u mbyll me fjalën përmbyllëse të Prof. Asoc. Dr. Isa Erbas, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale.
Përmes aktiviteteve të tilla, Universiteti "EPOKA dhe Qendra për Studime Evropiane vijojnë të promovojnë dialogun akademik dhe angazhimin ndërkombëtar mbi integrimin evropian dhe çështjet rajonale. Falënderojmë delegacionin dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të vlefshëm në këtë diskutim.