Më 17 janar 2024, Universiteti EPOKA pati nderin të mirëpriste Ambasadoren e Japonisë në Shqipëri, znj. KATO Kikuko, së bashku me z. TSUBOI Kohei nga Departamenti i Kulturës dhe Shtypit pranë Ambasadës së Japonisë.
Ambasadorja KATO Kikuko u prit ngrohtësisht nga Rektori i Universitetit EPOKA, Prof. Dr. Ahmet Öztaş; Zv/Rektori për Çështjet Akademike, Dr. Niuton Mulleti; Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Lisen Bashkurti; dhe Dekani i Studentëve, Dr. Sadullah Yilmaz.
Gjatë kësaj vizite, diskutimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit midis Universitetit EPOKA dhe Ambasadës së Japonisë. Ndër temat kryesore ishin organizimi i ligjëratave të hapura, aktiviteteve të përbashkëta, si dhe mundësitë që Japonia ofron për studentët e EPOKA-s, përfshirë bursa dhe mundësi punësimi.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e promovimit të vlerave të përbashkëta shqiptaro-japoneze dhe edukimit të një gjenerate të re të aftë për të punuar përtej kufijve. Ky bashkëpunim synon të përmirësojë cilësinë dhe konkurrueshmërinë e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Shqipëri.