Më 4–5 shtator 2025, në Valeta të Maltës u mbajt seminari i dytë kërkimor i projektit Erasmus+ Zhvillimi i Kapaciteteve të Leadershipit në Arsimin e Lartë në Shqipëri dhe Kosovë (LEADALKO), ku u mblodhën të gjithë partnerët e konsorciumit për dy ditë diskutimesh dhe bashkëpunimi.
LEADALKO, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian, synon forcimin e kapaciteteve të leadershipit dhe modernizimin e qeverisjes në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë. Seminari në Maltë shënoi një hap të rëndësishëm në zbatimin e projektit, duke u përqendruar në dizajnimin dhe zhvillimin e programit të leadershipit.
Gjatë aktivitetit, partnerët prezantuan shtatë modulet e programit të leadershipit, duke vendosur bazat për punëtoritë e ardhshme train-the-trainers, të cilat do të zhvillohen në Prishtinë, Kosovë, më 9–11 dhjetor 2025. Këto punëtori do t’i pajisin anëtarët e stafit universitar me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ofruar trajnime cilësore në fushën e leadershipit brenda institucioneve të tyre.
Një pikë tjetër kyçe e diskutimit ishte përgatitja e fazës pilot të programit, e cila do të zbatohet në dy grupe në Kosovë dhe Shqipëri, nga janari deri në korrik 2026. Rreth 50 pjesëmarrës do të jenë pjesë e kësaj faze, duke fituar eksperiencë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e leadershipit dhe duke kontribuar në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të lidershipit akademik.
Seminari trajtoi gjithashtu sfidat e mundshme të zbatimit, ndërsa partnerët ndanë përvoja të vyera dhe shembuj të praktikave më të mira europiane për të siguruar suksesin e programit.
Duke nxitur bashkëpunimin dhe inovacionin, LEADALKO vazhdon të hapë rrugën drejt institucioneve më të forta, drejtuesve akademikë të fuqizuar dhe një ndikimi afatgjatë në sistemet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë.