Studentët e Departamentit të Drejtësisë pranë Epoka University patën mundësinë të zhvillonin një bisedë me gjyqtaret Sonila Bejtja dhe Marjana Semini, në kuadër të iniciativës “Ditët e Hapura” të GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË.
Gjatë takimit, studentët u njohën më nga afër me rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e Kushtetutës, garantimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimin e drejtësisë kushtetuese në Shqipëri. Diskutimi u karakterizua nga një atmosferë e hapur dhe interaktive, ku gjyqtaret iu përgjigjën pyetjeve të studentëve mbi vendimmarrjen, sfidat dhe organizimin e institucionit.
Kjo iniciativë synon të afrojë të rinjtë me institucionet e drejtësisë, të nxisë interesin për të drejtën kushtetuese dhe të forcojë kulturën e transparencës institucionale.
Falënderojmë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për mikpritjen dhe organizimin e këtij aktiviteti me vlerë për studentët tanë.