Prof. Asoc. Dr. Alba Demneri Kruja, anëtare e stafit akademik të Departamentit të Administrim Biznesit në Universitetin EPOKA, është prezantuar në The Entrepreneurship Educator’s Corner, një iniciativë e konsorciumit Sustain4Future dhe Start for Future, e cila promovon praktika të suksesshme në edukimin për sipërmarrjen e qëndrueshme në Evropë.
Rasti i prezantuar trajton qasjen e saj në mësimdhënien e lëndës Menaxhimi i Operacioneve, ku sipërmarrja, inovacioni dhe qëndrueshmëria ndërthuren përmes kuadrit Teach&RISE. Në vend që sipërmarrja të trajtohet si një temë më vete, studentët nxiten të zhvillojnë mendësinë sipërmarrëse përmes analizimit të sfidave konkrete, si shpërdorimi i ushqimit, konsumi i energjisë dhe eficienca në përdorimin e burimeve.
Përmes punës në grup, analizimit të rasteve të kompanive dhe zhvillimit të projekteve praktike, studentët identifikojnë probleme, propozojnë zgjidhje dhe vlerësojnë realizueshmërinë e ideve të tyre. Kjo qasje i ndihmon ata të lidhin njohuritë teorike me praktikën, duke zhvilluar aftësitë analitike, sipërmarrëse dhe të zgjidhjes së problemeve.
The Entrepreneurship Educator’s Corner synon të nxisë shkëmbimin e njohurive dhe praktikave inovative në edukimin për sipërmarrjen e qëndrueshme në Evropë.
Departamenti i Administrim Biznesit në Universitetin EPOKA i kushton rëndësi mësimdhënies së orientuar drejt praktikës dhe zhvillimit të kompetencave që u përgjigjen sfidave aktuale të biznesit dhe shoqërisë.
Lexoni rastin e plotë këtu