Më 5 nëntor 2025, katër studentë nga Universiteti EPOKA përfaqësuan Shqipërinë në fazën finale të Cyber Security Young Talent Training 2025, e cila u zhvillua në Universitetin Teknik të Moldavisë (CYBERCOR) dhe u organizua nga Tallinn University of Technology (TalTech) në bashkëpunim me ESTDEV.\
Ky aktivitet mblodhi së bashku studentë të talentuar nga e gjithë Evropa për të konkurruar në raundin final të sfidës me temë “Protocol Europa: Digital Waters Under Siege”. Pjesëmarrësit morën pjesë në një skenar të simuluar të mbrojtjes kibernetike evropiane, të vendosur në vitin 2045, ku trajtuan kërcënime kibernetike detare të drejtuara nga inteligjenca artificiale. Gara përfshiu sfida të avancuara të tipit Capture the Flag (CTF) si edhe ushtrimin grupi “Zoo Hacking – Describe (don’t do)”, i cili u fokusua në etikën kibernetike, planifikimin konceptual të sulmeve dhe mbrojtjeve, si dhe mendimin strategjik.
Universiteti EPOKA u përfaqësua nga Dr. Florenc Skuka (Udhëheqës Ekipi) dhe studentët Denisa Korra, Sidrit Zela, Ameraldo Bullari dhe Ina Ndoni. Ata treguan bashkëpunim të shkëlqyer, aftësi analitike dhe përkushtim të lartë, duke fituar përvojë të vlefshme ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike të aplikuar.
Ky aktivitet theksoi angazhimin e Universitetit EPOKA për të promovuar kompetencat digjitale, etikën në sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin akademik ndërkombëtar.