Më 9 Prill 2025, studentët nga programi i studimit Ekonomi dhe Administrim Biznesi të Universitetit EPOKA zhvilluan një vizitë studimore në ambientet e Vodafone Albania, në kuadër të lëndës Menaxhim dhe Organizim. Vizita u udhëhoq nga pedagogia Mikaela Suslu, në bashkëpunim me Zyrën e Planifikimit të Karrierës dhe Alumni, dhe ofroi një mundësi të vyer për të lidhur njohuritë teorike me praktikën në një nga kompanitë më të njohura në tregun shqiptar.
Dita nisi me një sesion mirëseardhjeje dhe rrjetëzimi, ndjekur nga fjala hyrëse e Erald Hysa, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Vodafone Albania. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe integritetit në karrierë.
Më tej, Deborah Hatellari dhe Fatma Ibrahimi prezantuan mënyrën se si është organizuar struktura e brendshme e kompanisë, rolet e departamenteve të ndryshme dhe mundësitë që Vodafone ofron për studentët dhe të diplomuarit.
Një nga sesionet më të rëndësishme ishte ai mbi Zhvillimin në Vodafone, ku u prezantua mënyra se si kompania mbështet punonjësit nëpërmjet trajnimeve dhe mundësive për të mësuar dhe për t’u zhvilluar profesionalisht. Studentët kuptuan se suksesi në një industri në ndryshim të vazhdueshëm varet nga fleksibiliteti dhe gatishmëria për të fituar aftësi të reja, pavarësisht nga fusha e studimit.
Përvojat personale të karrierës së Ada Taho dhe Evi Hoxha dhanë mesazhe frymëzuese mbi rëndësinë e ndjekjes së pasionit, përballimit të sfidave dhe punës në ekip.
Në mënyrë të veçantë, emocionuese ishte pjesëmarrja e Irisa dhe Dejvi, dy të diplomuar të EPOKA-s që janë bërë pjesë e Vodafone përmes Discover Graduate Program. Ata ndanë përvojat e tyre, theksuan kulturën bashkëpunuese të kompanisë dhe njohuritë që kanë fituar falë rotacioneve në departamente të ndryshme.
Vizita u përmbyll me një tur në ambientet e Vodafone Albania, ku studentët panë nga afër funksionimin e departamenteve të ndryshme.
Universiteti EPOKA falënderon Vodafone Albania për mikpritjen e ngrohtë, për informacionin e vlefshëm dhe për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetjen e zhvillimit profesional të të rinjve