Gjatë datave 05-09 maj 2025, Dr. Niuton Mulleti, Zëvendësrektor për Çështjet Akademike dhe Lektor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, së bashku me Prof. Güngör Turan, Profesor në Departamentin e Ekonomisë, morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të Stafit Erasmus+ 2025, të organizuar nga Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare në Romë (UNINT), në kuadër të Marrëveshjes ekzistuese të Mobilitetit Ndërkombëtar të Krediteve Erasmus+ midis Universitetit EPOKA dhe UNINT.
Me këtë rast, më 07 maj 2025, Prof. Turan mbajti një seminar me titull “Testimi i vlefshmërisë së hipotezës EKC dhe efektet ndërmjetësuese të energjisë së rinovueshme në qëndrueshmërinë mjedisore: Një vlerësim dinamik panel për Ballkanin Perëndimor”, ndërsa Dr. Mulleti mbajti më 08 maj 2025 një seminar me titull “Perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zgjerimin drejt lindjes të Bashkimit Evropian”.
Gjatë qëndrimit të tyre në UNINT, më 06 maj 2025, Dr. Mulleti dhe Prof. Turan u takuan me Prof. Mariagrazia Russo, Rektore, Prof. Luciano Nieddu, Prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dhe Prof. Antonella Ercolani, Prorektor për Misionin e Tretë/Impactin Social në UNINT. Në këtë kontekst, në emër të Rektorit Prof. Ahmet Öztaş, Zëvendësrektori Mulleti përcolli për drejtuesit e lartë të UNINT mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin shumë të frytshëm të vendosur midis dy universiteteve, me theks të veçantë në shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ në kuadër të programit Erasmus+, si dhe punën e bërë për ofrimin e një Programi të Dyfishtë Diplome midis UNINT dhe EPOKA. Diskutimet u përqendruan në mënyrat për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dypalësh, përfshirë mundësinë e ofrimit të Programeve të Dyfishta Diplome edhe në disiplina të tjera me interes të përbashkët.
Gjatë Javës Ndërkombëtare të Stafit, Dr. Mulleti dhe Prof. Turan patën gjithashtu takime me kolegë të nderuar nga universitetet e ndryshme pjesëmarrëse dhe diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit me institucionet përkatëse. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe takimeve me studentët e UNINT që kishin shprehur interesin për të ndjekur një semestër shkëmbimi në Universitetin EPOKA në kuadër të programit Erasmus+, duke ndërtuar mbi bashkëpunimin e shkëlqyer të vendosur mes dy institucioneve.