calendar October 9, 2026
Vlera dhe Vlerësimi i Shoqërive Tregtare
news-image news-image

Më 9 tetor 2026, Departamenti i Bankës dhe Financës organizoi një leksion të hapur me temë “Vlera dhe Vlerësimi i Shoqërive Tregtare”, të mbajtur nga Z. Anton Lezhja, profesionist me 30 vjet përvojë në fushën e këshillimit financiar pranë Deloitte, Accredited Senior Appraiser i Shoqatës Amerikane të Vlerësuesve (American Society of Appraisers) dhe trajner pranë Institutit Ndërkombëtar të Vlerësuesve të Biznesit (International Institute of Business Valuers).

 

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të serisë së leksioneve “Segmentet e Tregjeve Financiare” (Market Segmentations within the Financial Markets), një nismë që synon të zbulojë dimensione të reja të financës (Unbox Finance) dhe të sjellë në auditor zërat e profesionistëve nga tregjet financiare (Voices from Financial Markets).

 

Leksioni trajtoi konceptet themelore të vlerës, çmimit dhe kostos, duke evidentuar dallimet ndërmjet tyre dhe rëndësinë që kanë në vlerësimin e shoqërive tregtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua faktorëve kryesorë që përcaktojnë vlerën e një biznesi, përfshirë përfitimet e ardhshme ekonomike, gjenerimin e flukseve monetare, perspektivat e rritjes, rrezikun dhe të drejtat e pronësisë.

 

Një pjesë qendrore e leksionit iu kushtua tri qasjeve kryesore të vlerësimit të biznesit: qasjes së të ardhurave, qasjes së tregut dhe qasjes së bazuar në aktive. Përmes shpjegimeve praktike dhe shembujve ilustrues, studentët u njohën me metoda të tilla si analiza e flukseve monetare të skontuara (Discounted Cash Flow – DCF), kapitalizimi, analiza e shoqërive të krahasueshme, shumëfishat e transaksioneve dhe vlerësimi i aktiveve neto të rregulluara. Gjithashtu, u trajtua dallimi ndërmjet vlerës së ndërmarrjes (Enterprise Value) dhe vlerës së kapitalit të vet (Equity Value), si dhe rastet kur vlerësimi i bizneseve është i domosdoshëm, përfshirë bashkimet dhe blerjet e shoqërive, vendimet për investime, raportimin financiar dhe planifikimin strategjik.

Përtej aspekteve teknike, leksioni trajtoi edhe përgjegjësitë profesionale të vlerësuesve të biznesit, duke theksuar rëndësinë e objektivitetit, standardeve etike, besueshmërisë së informacionit financiar dhe gjykimit të shëndoshë profesional. Diskutimi përfshiu gjithashtu rolin në rritje të inteligjencës artificiale në procesin e vlerësimit, duke evidentuar potencialin e saj për të mbështetur analizën financiare dhe modelimin, si dhe rëndësinë e mbikëqyrjes njerëzore, transparencës dhe përgjegjshmërisë profesionale.

 

Leksioni u ofroi studentëve një këndvështrim praktik mbi mënyrën se si vlerësohen bizneset dhe rolin që luan vlerësimi në procesin e vendimmarrjes financiare në sektorë të ndryshëm. Përmes ndërthurjes së njohurive teorike me praktikën profesionale, aktiviteti kontribuoi në thellimin e të kuptuarit të studentëve mbi vlerësimin e bizneseve dhe rëndësinë e tij në mjedisin e sotëm financiar dhe të investimeve.

Epoka University vijon të promovojë bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke krijuar mundësi që studentët të mësojnë nga profesionistë me përvojë dhe të njihen nga afër me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për zhvillimin e tyre profesional në sektorin financiar.

epoka-logo
info@epoka.edu.al
+355 4 2232 086 - +355 4 2222 117
Rr. Tirane-Rinas, Km. 12 1032 Vore Tirana, Albania