Dr. Arban Uka, Kreu i Departamentit të Inxhinierisë së Kompjuterëve në Universitetin EPOKA, u shpërblye me grantin kërkimor Western Balkans-Visegrad për të forcuar bashkëpunimin kërkimor me grupin e Profesor Jozef Ulicny nga Universiteti Pavol Jozef Safarik në Sllovaki.
Fokusi i kësaj burse ishte përdorimi i teknikave të inteligjencës artificiale në rindërtimin e imazheve, përfshirë tomografinë kompjuterike. Të dy grupet kanë ekspertizë të gjerë në ndërveprimin lazer-material, në teknikat e marrjes së imazheve dhe diskutuan përpjekjet e përbashkëta për shfrytëzimin e faciliteteve të European X-ray Free Electron Laser (EU XFEL). Gjatë vizitës së tij, Dr. Arban Uka prezantoi gjithashtu punën e tij të fundit kërkimore, e cila zhvillohet në Universitetin EPOKA në kuadër të projekteve ndërkombëtare dhe kombëtare.
Programi Western Balkans–Visegrad Fellowships ofron financim për qëndrime afatshkurtra individuale për studiues, pedagogë, akademikë dhe shkencëtarë nga vendet e Grupit të Visegradit (Çeki, Hungari, Poloni dhe Sllovaki) dhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi). Bursa mbështet shkëmbimet akademike në të dy drejtimet: qytetarët e vendeve V4 mund të aplikojnë për institucione pritëse në Ballkanin Perëndimor (WB6), ndërsa qytetarët e WB6 mund të aplikojnë për institucione në vendet e V4.
Programi financohet bashkërisht nga Fondi i Visegradit dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor.