Më 10 prill 2025, përfundoi Shkolla e Simulimit të Procesit Vendimmarrës të BE-së me një ditë të plotë aktivitetesh dinamike simulimi, të zhvilluara në Universitetin EPOKA. Kjo ngjarje ofroi për nxënësit e shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria një mundësi gjithëpërfshirëse për të përjetuar nga afër funksionimin e institucioneve të Bashkimit Europian.
Pjesëmarrësit, të mentoruar nga studentë të Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, morën role brenda Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian. Së bashku ata debatuan, negociuan dhe arritën konsensus mbi një propozim fiktiv por në kohë reale: “Strategjia e Përbashkët Mbrojtëse e BE-së për Stabilitet Global.”
Simulimi u hap me sesione institucionale, gjatë të cilave Ivana Gjeloshaj, studente e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin EPOKA dhe përfaqësuese e Komisionit Europian, paraqiti objektivat, sfondin dhe sfidat e pritshme të propozimit. Ndërkohë, Parlamenti Europian nisi diskutimet dhe propozoi amendamente, ndërsa Këshilli Europian hartoi pozicionet kombëtare.
Pas një pushimi të shkurtër, institucionet rifilluan punimet. Këshilli Europian punoi për të ndërtuar konsensus ndërqeveritar, Parlamenti debatoi mbi ndryshimet legjislative dhe Komisioni u përgjigj pyetjeve të ngritura gjatë diskutimeve.
Në orët e pasdites, të gjitha institucionet u mblodhën për një sesion final votimi, duke simuluar përmbylljen e një procesi real vendimmarrës të BE-së. Aktiviteti pasqyroi kompleksitetin dhe rëndësinë e bashkëpunimit, negociatave të politikave dhe ekuilibrave institucionalë brenda Bashkimit Europian.
Si pjesë e Ceremonisë Përmbyllëse të këtij eventi dyditor, “Hidh një hap në këpucët e Vendimmarrësve të BE-së”, zhvilluar më 9–10 prill 2025 në Europe House dhe Universitetin EPOKA, tre nxënës të shkollave të mesme u vlerësuan me bursa për performancën e tyre të jashtëzakonshme dhe aftësitë drejtuese gjatë programit:
Roel Shehu – Fitues i Vendit të Parë
Fitues i bursës së plotë 100% për studimet bachelor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin EPOKA.
Bjorni Zhguni – Fitues i Vendit të Dytë
Fitues i bursës 75% për studimet bachelor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin EPOKA.
Ines Gjata – Fituesja e Vendit të Tretë
Fituesja i bursës 50% për studimet bachelor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin EPOKA.
Këto bursa dëshmojnë përkushtimin e Universitetit EPOKA për të promovuar potencialin akademik dhe angazhimin qytetar te të rinjtë shqiptarë. Të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata pjesëmarrjeje, duke shënuar përfundimin me sukses të një programi dyditor gjithëpërfshirës dhe frymëzues.
Shkolla e simulimit u drejtua nga Dr. Dea Bashkurti, e cila udhëhoqi përmbajtjen akademike të programit me ekspertizën e saj në çështjet e BE-së, dhe bashkëdrejtuar nga znj. Morena Mulhaxhia, e cila pati një rol kyç në koordinimin e ngjarjes dhe mentorimin e pjesëmarrësve.
Universiteti EPOKA shpreh mirënjohjen e sinqertë ndaj të gjithë folësve të ftuar, trajnerëve, mentorëve studentorë dhe bashkëpunëtorëve, me falënderime të veçanta për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) në Tiranë për partneritetin e vazhdueshëm. Universiteti uron përzemërsisht fituesit e bursave dhe pret me padurim t’i mirëpresë ata në komunitetin akademik së shpejti.