Ditën e djeshme, studentët e Universitetit EPOKA patën mundësinë të thellohen në botën e sigurisë kibernetike gjatë një sesioni informues të udhëhequr nga Juxhers Fishka, Administrator i Cyber Tirana dhe Instruktor i Sigurisë Kibernetike.
Gjatë sesionit u trajtuan tema kyçe si menaxhimi i informacionit, kërcënimet më të zakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, sulmet phishing, si dhe këshilla praktike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe organizative. Studentët patën mundësinë të njihen me shembuj konkretë nga jeta reale dhe të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë që sjell bota digjitale.
Cyber Tirana është një qendër trajnimi moderne në fushën e teknologjisë, që ofron eksperienca mësimore teorike dhe praktike. Misioni i tyre është të pajisin studentët me aftësi të domosdoshme për tregun e punës, me fokus të veçantë në sektorin gjithnjë në rritje të sigurisë kibernetike.
Universiteti EPOKA falënderon përzemërsisht Cyber Tirana për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në fuqizimin e gjeneratës së ardhshme të profesionistëve të teknologjisë.