Një delegacion nga EPOKA University, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Hüseyin Bilgin, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha. Prof. Dr. Bilgin u shoqërua nga Dr. Esmir Demaj, Administrator i EPOKA University; Assoc. Prof. Dr. Alba Kruja, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkencave Administrative; si dhe z. Gledis Nano, Lektor në EPOKA University.
Delegacioni i EPOKA University u prit nga Prof. Dr. Artan Hoxha, së bashku me Zëvendësrektoren Prof. Dr. Anila Paparisto dhe Dr. Erida Elmazi, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.
Gjatë takimit, të dy institucionet shprehën vlerësimin e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të marrëveshjes ndërinstitucionale dhe diskutuan mundësitë për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, veçanërisht në fushat e kërkimit shkencor, projekteve të përbashkëta ndërkombëtare, inovacionit, teknologjisë dhe transferimit të dijes.
Takimi u mbyll në një frymë konstruktive dhe pozitive, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve institucionale.