Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë ka shpallur një vend vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.
Vendimi është marrë në zbatim të nenit 149 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të neneve 134, 135 dhe 137 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kushtetues që garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe funksionimin e rregullt të sistemit të prokurorisë. Përfshirja e përfaqësuesve nga bota akademike kontribuon në forcimin e integritetit profesional, akademik dhe etik të këtij institucioni.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret ligjore, ndër të cilat përfshihen: shtetësia shqiptare, jo më pak se 15 vite përvojë profesionale si jurist dhe të paktën 5 vite përvojë si pedagog me kohë të plotë në një fakultet drejtësie ose në Shkollën e Magjistraturës. Gjithashtu, kërkohet mbajtja e titullit “profesor” ose “lektor” dhe përmbushja e kritereve të integritetit sipas legjislacionit në fuqi.
Aplikantët duhet të paraqesin një dosje të plotë aplikimi, e cila përfshin dokumentacionin përkatës, si dhe një platformë personale mbi objektivat që synojnë të ndjekin në rast përzgjedhjeje.
Brenda 15 ditëve nga shprehja e interesit, kandidatët duhet të dorëzojnë edhe deklaratat e pasurisë dhe dokumentacionin përkatës pranë institucioneve përgjegjëse.
Institucionet e arsimit të lartë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të nisin procedurat përkatëse brenda 7 ditëve nga shpallja e vendit vakant.
Dokumentacioni duhet të paraqitet në gjuhën shqipe, në origjinal ose kopje të noterizuara. Çdo deklarim i rremë sjell përjashtimin nga procedura dhe përgjegjësi sipas ligjit.
https://www.parlament.al/lajme/8d022570-f01d-499d-afbe-f99a49a28f01