Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë ka shpallur dy vende vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.
Ky vendim është marrë në zbatim të nenit 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të neneve 36, 37 dhe 39 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kushtetues që garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe funksionimin e rregullt të sistemit gjyqësor. Përzgjedhja e anëtarëve nga komuniteti akademik përbën një element kyç për forcimin e integritetit profesional dhe akademik të këtij organi.
Kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë kriteret ligjore, përfshirë shtetësinë shqiptare, përvojë profesionale prej të paktën 15 vitesh si jurist dhe përvojë akademike prej të paktën 5 vitesh në një fakultet drejtësie ose në Shkollën e Magjistraturës. Gjithashtu, kërkohet titulli “profesor” ose “lektor” dhe përmbushja e kritereve të integritetit të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Dosja e aplikimit duhet të jetë e plotë dhe të përfshijë të gjithë dokumentacionin e kërkuar, përfshirë dokumentet identifikuese, CV-në, vërtetimet për përvojën profesionale, formularët e vetëdeklarimit dhe një platformë personale.
Brenda 15 ditëve nga shprehja e interesit, kandidatët duhet të dorëzojnë gjithashtu deklaratat e pasurisë dhe dokumentacionin përkatës pranë institucioneve përgjegjëse.
Institucionet e arsimit të lartë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të nisin procedurat përkatëse brenda 7 ditëve nga shpallja e vendeve vakante.
Të gjitha dokumentet duhet të paraqiten në gjuhën shqipe, në origjinal ose kopje të noterizuara. Çdo deklarim i rremë sjell përjashtimin nga procedura dhe përgjegjësi ligjore.
https://www.parlament.al/lajme/c5895312-5f01-4013-b6bc-ace606e3b329